Leposaviq, zbulohet një laborator i narkotikëve

Policia e Kosovës ka zbuluar në Leposaviq një laborator për kultivimin e bimëve të dyshuara të kanabisit në fshatin Miokovicë të Leposaviqit.

Sipas njoftimit, Njësia e antidrogës (DHTN) Mitrovicë-Veri pas një pune hetimore dhe sigurimit të informatave të besueshme nga terreni dhe nën asistimin e zyrtarëve policorë nga Drejtoria rajonale e Policisë (DRP) Mitrovicë-Veri dhe patrullave të stacionit policor në Leposaviq kanë bastisur shtëpinë e banimit të të dyshuarit me iniciale M.I. dhe objektet përcjellëse, ku në një objekt përcjellës banimi në një dhomë është gjetur një laborator i improvizuar për kultivimin e bimëve narkotike.

Operacioni policor ka rezultuar me gjetjen e gjithsej 409 bimëve të dyshuara të kanabisit, një pushkë gjuetie me 43 fishekë, si dhe pajisje të tjera të cilat nevojiten për improvizimin e laboratorit (poçe, ventilim, termostate, nxehëse, etj.), si dhe një xhaketë e Policisë së Kosovës.

Njësia e forenzikës ka bërë fotografimin dhe sekuestrimin e dëshmive.

Në lidhje me rastin është njoftuar prokurori nga Departamenti i Krimeve të Rënda dhe me udhëzim të tij nga bimët merren disa mostra që do të dërgohen në laborator, kurse pjesa tjetër me urdhër të prokurorit shkatërrohen.

I dyshuari me inicialet M.I. me aktvendim të prokurorit kujdestar ndalohet për 48 orë, kurse i dyshuari tjetër me iniciale S.S është në kërkim të Policisë.

Rasti vazhdon të hetohet nga Antidroga e (DHTN) Mitrovicë-Veri.